Ish-presidenti Gaspart, i vetmi ortak i Barcelonës “non grata” për Realin!

Besohet se në Madrid kanë të drejtë, për atë që mendon dhe që e thotë. Zhoan Gaspart ka qenë president i Barcelonës dhe e pohon edhe sot e kësaj dite se është armik i Realit. Kur e pyesin nëse preferon që Reali të eleminohet nga Europa apo të shkojë në Ligën e Europës, ai përgjigjet pa mëdyshje: “Dua që të zbresë në kategorinë e dytë (në Spanjë)!” Më pas shton se “jam i vetmi “socio” (ortak) i Barcelonës i deklaruar “non grata” nga Reali i Madridit”. Me këto që thotë, padyshim që madrilenët nuk kishin zgjidhje tjetër! Gjithsesi, Gasparti është deklaruar “non grata” edhe nga Espanjoli, rivali qytetës i Barcelonës. “Unë jam njeri i shtëpisë edhe për ata, – proteston ai, – Espanjolin e themeluan katalanasit. Nuk dua që të jetë në kategorinë e dytë. Më kanë paragjykuar, më kanë shpallur të padëshirueshëm. Unë dua që Barcelona të fitojë ndaj Espanjolit, por që Espanjoli të fitojë kundër Realit”.

Sfidanti.al