Për Antonio Konten nuk ishte domosdoshmëri që të triumfonte, sidomos që kur Milani bëri “harakiri” në shtëpi me Sasuolon. Ndjekësi më i afërt mbeti edhe më pas, ndërsa Juventusi vërtet fitoi, por Interin nuk e rrezikon. Pra, për teknikun zikaltër barazimi në fushën e Specias ishte thjesht një frenim pa pasoja, ndërsa për Juventusin fitorja ndaj Parmës ishte shumë e rëndësishme për garën drejt Championsit, sidomos pas turpërimit për Superligën e Europës.
Lajmet nga Torino janë 3, së pari kampionët u kthyen tek fitorja pas humbjes në fushën e Atalantës, së dyti që Kristiano Ronaldo nuk shënoi sepse golat i shënuan dy herë Aleks Sandro dhe një herë Matijs De Ligd, dhe së treti që CR7 gaboi përsëri në murin e një goditjeje dënimi, dhe emilianët kaluan të parët në avantazh. Nuk dihet nëse do të ketë shumë kritika për portugezin, por atmosfera është pak më e qetë sepse Juvja ka 65 pikë ndaj 66 të Milanit të vendit të dytë. Interi kryeson me 76, ndërsa Ronaldo kryeson renditjen e shënuesve me 25 gola ndaj 21 të Lukakut.
Rezultatet: Milan-Sasuolo 1-2, Specia-Inter 1-1, Juventus-Parma 3-1, Bolonja-Torino 1-1, Krotone-Sampdoria 0-1, Xhenoa-Benevento 2-2, Udineze-Kaljar 0-1.
Sfidanti.al