Rrëzimi dramatik i Shalkes, skuadrës së minatorëve dhe të lavdisë!

Edhe një skuadër me të vërtetë e popullit mund të rrëzohet. Askujt nuk i shkonte ndër mendje për këtë në një mbrëmje dhjetori në 2015 mbi 61 000 tifozë të Shalkes kënduan këngën e minatorëve, ndërsa 1 000 minatorë të Ruhrit dolën në fushë, për një lamtumirë pas mbylljes së minierës së fundit të qymyrit në Gjermani. Një nga dy skuadrat me publikun më të jashtëzakonshëm, bashkë me Dortmundin, u rrëzua zyrtarisht nga Bundesliga pas humbjes 0-1 në fushën e Arminias së Bilefeldit.

Edhe pse ishte diçka që pritej, sërish shkaktoi dhimbje e tronditje të madhe. Të mbiquajturit “Blutë Mbretërorë” kishin 30 vjet në elitë dhe ishin e mbeten një nga më të shquarit në vend. Sezoni ishte katastrofik dhe në 30 ndeshje, Shalke mori vetëm 13 pikë duke mbetur me diferencë të madhe në vend të fundit. Kjo ishte një nga temat kryesore të emisioneve sportive në Gjermani, që reflektuan pakënaqësinë e tifozëve në qytetin e Gelsenkirshenit. Ultrasit nuk mbetën me kaq, por dolën në rrugë për të sulmuar lojtarët që ishin autorë të turpit të madh.

Sa larg duken këto kohë nga viti 1997 kur Shalke fitoi Kupën UEFA, trofeun e madh europian pas dy finaleve ndaj Interit të Milanos, me futbollistë si Jens Lehman, Olaf Ton apo Mark Vilmots, me trajnerin Hub Stevens dhe menaxherin e famshëm e të ndjerë Rudi Asauer, që u shua për shkak të sklerozës, dhe që do të mbetet i paharruar me puron e tij të gjatë. Nga Bundesliga po rrëzohet një emër i madh, 7 herë kampion i Gjermanisë dhe 5 herë fitues i Kupës. Emocione të tilla, qoftë edhe dramatike, nuk t’i ofron dot një e tillë si Superliga Europiane.

Sfidanti.al