Mançester Siti shkëlqen edhe kur mezi fiton dhe “prek” titullin!

Pep Guardiola ka një sëmundje që nuk mund të triumfojë po qe se nuk i dominon ndeshjet. Ndodh që skuadrat e tij bëhen të mërzitshme sepse ua fshehin topin rivalëve, por kjo është pjesë e madhështisë së lojës së tij. Mançester Siti e pati këtë madhështi në fitoren 2-1 në fushën e Aston Vilës, kur u bë e para skuadër në Premier Ligë që fiton dy herë të paktën 10 ndeshje radhazi jashtë fushe. Pra dy seri të shkëlqyera siç ishte ajo me 11 fitore radhazi jashtë në 2017, ndërsa tani janë 10.

“Qytetarët” e mbajtën topin 72 për qind në “Vila Park”, ndonëse Aston Vila u mbrojt fort duke lejuar vetëm 3 gjuajtje në kuadrat, aq sa bëri edhe vetë. Kornet ishin 11-1 për Sitin, pra një rrethim i vërtetë, por suksesi ishte i vështirë. Fillimisht, vendasit shënuan me anë të Xhon Mekginit që në sekondën e 20-të. Fil Foden në 22’ dhe Rodri në 40’ përmbysën shifrat, por Xhon Stouns i hapi telashe ekipit të tij duke dalë me të kuqe në 44’. Siti luajti me 10 vetë për jo shumë minuta, deri në 57’ dhe mori fitoren. Ekipi i Guardiolës ka 77 pikë në 33 ndeshje dhe ka mundësi të shkojë në 92 nëse i fiton 5 ndeshjet që i mbeten. Titulli është thuajse i fituar. “Ne luajtëm shumë mirë, – tha Guardiola, – titulli në Premier Ligë është më i rëndësishmi. Jam i lumtur që fituam. Fil Foden po rritet dhe ai po ndikon shumë në lojën tonë”.

Sfidanti.al