Hysaj nderohet në ndeshjen e 100-të, Napoli mban kreun!

Elseid Hysaj ishte njeriu më i lumtur në “San Paolo” në ndeshjen mes Napolit dhe Sasuolos. Përpara fillimist, mbrojtësit të kombëtares shqiptare iu dorëzua një fanelë e veçantë nga ana e kapitenit Marek Hamshik, ajo që kujtonte 100 ndeshje të luajtura nga shkodrani për klubin napolitan. “Caku” i rëndësishëm u arrit në përballjen në “Marasi” ndaj Xhenoas fituar 3-2, ndërsa ceremonia u bë një ndeshje më pas, pikërisht sot ndaj Sasuolos.

“Jam shumë i emocionuar që e kam arritur këtë cak të rëndësishëm, – tha Hysaj ndërsa publiku napolitan dëgjonte, – për mua është një lumturi dhe një krenari e madhe që vesh fanelën e kaltër”. Pikërisht fanelën e Maradonës, apo të Karekës, Alemaos, Falkaos, dhe sot të Hamshikut, Mertensit, Insinjes e Kajehonit.

Napoli i trajnerit Sarri i ktheu përgjigje Juventusit duke fituar 3-1 dhe duke u shkëputur sërish 3 pikë mbi kampionët në krye të renditjes së Serisë A. Alan kaloi vendasit në epërsi që në 22’, barazoi përkohësisht Falçineli, ndërsa Kajehon në 44’ dhe Mertens në 54’ vulosën shifrat 3-1. Napoli ka 31 pikë pas 11 ndeshjeve, ndaj 28 të Juventusit, Lacios dhe Interit (-1 ndeshje).

Sfidanti.al