Do të jetë një mrekulli nëse ky Real do ta fitojë ligën spanjolle. Ky ishte komenti më i spikatur i mediave të Madridit pas disfatës së papritur dhe tronditëse në fushën e Gironës. Humbja 1-2 e la kampionen në fuqi 8 pikë prapa Barcelonës, dhe mbrojtja e titullit duket punë e vështirë, sidomos kur ke konkurrencë me një skuadër me kaq shumë përvojë sa ajo katalanase.
Zidan e dinte se skuadra e tij nuk është për momentin ajo e vjetshmja, kur ishte më e mira e botës. Gjithsesi, trajneri francez nuk e kishte menduar se do t’i takonte pikërisht atij të provonte një humbje të tillë, të parën me një skuadër debutuese pas 27 vitesh. Në 1990-1991 ishte Burgosi që e mposhtte Realin po 2-1.
Titulli i “Markës” ishte që “Reali voton që të mos dalë kampion”, ndërsa Girona, një ekip katalanas, me siguri që duhet të titullohet “votoi për pavarësinë”. Isko kaloi në epërsi Madridin në 12’, Stuani barazoi në 54’, ndërsa Portu shënoi në pozicion jashtë loje në 58’, një gol që u quajt i rregullt. Me siguri Reali është dakord që sezonin tjetër të vendoset teknologjia edhe në La Liga.
Sfidanti.al