Flamurtari me “flamur” në Tiranë, Duro revansh ndaj Partizanit

Nuk donte të mbetej prapa Ernest Gjokës, ndaj e bëri edhe ai. Shpëtim Duro realizoi “bëmën” e javës duke triumfuar brenda në kryeqytet me Flamurtarin e tij, pikërisht ndaj Partizanit, po “të tij”. Trajneri që edhe gjakun e ka të kuq si ngjyra e fanelës partizanase, ishte sërish kundërshtar duke fituar duelin për vendin e tretë.

Flamurtari mori tri pikët me një gol të shënuar nga Ardit Hoxhaj, sulmuesi vlonjat që i ka realizuar shumë shpesh të kuqve. U mendua se kryeqytetasit do të bënin një paraqitje të mirë dhe pse jo të fitonin, duke qenë se vinin pas tri fitoreve radhazi. Në të kundërt, loja e të besuarve të trajnerit Mark Iuliano ishte e dobët, dhe padyshim Flamurtari ia mori protagonizmin, dhe mund të kishte fituar më thellë.

Pak orë më herët, Gjoka realizoi revanshin ndaj Kukësit, veçse ky i Duros është edhe më shumë hakmarrje, për vetë lidhjen e veçantë të tij me Partizanin, si dhe për polemikat që ai ka pasur në distancë me ish-trajnerin dhe tani këshilltarin e presidentit Demi, Sulejman Starovën.

Projekti “Flamurtari” më në fund ka gjetur një “usta” me përvojë, por klubi ka “gjetur” edhe presidentin apo administratorin Idrizi, i cili po tregohet korrekt me pagesat. Kjo është edhe një nga arsyet që Vlora mund të shpresojë që skuadra e këtij viti mund të kualifikohet të paktën për në Ligën e Europës.

Sfidanti.al