Arriti atë që donte, madje mund të kishte marrë më shumë, veçse Ernest Gjoka nuk është nga ata që mezi pret rastin të flasë. Trajneri i Vllaznisë tregoi klasin e tij njerëzor dhe profesional pas barazimit 2-2 që arriti në fushën e ish-ekipit të tij, Kukësit kampion. “Ia dolëm edhe sepse i njoh mirë disa prej lojtarëve të Kukësit, – tha Gjoka, – ndeshja u luajt ashtu siç prisja, dhe e goditëm dy herë Kukësin në befasi, por nuk e mbajtëm dot presionin në pjesën e dytë. Ende nuk kemi aq shumë besim tek vetja, ndërsa ishin përballë kampionëve”.
Një ditë para ndeshjes, presidenti kuksian, Gjici, komentoi se “Gjokës i vë notë 8 si trajner, por një klub i madh, e bën edhe trajnerin të madh”. Gjoka nuk ra në “grackë”. “Nuk kam dëshirë t’i kthej përgjigje Gjicit, – tha trajneri, – vjet ishte një sezon i jashtëzakonshëm për të dy, por ai ka meritën kryesore pasi prodhoi dhe krijoi një skuadër shumë të mirë. Unë jam profesionist dhe duhet t’i lavdëroj, jo t’i ofendoj njerëzit”. Vërtet një përgjigje, që i pati të gjitha!
Vllaznia ishte pranë fitores në “Zeqir Ymeri” në ndeshjen e javës së 8-të të Superligës, duke kryesuar 2-0 me dygolëshin e Acinës, por Kukësi arriti të paktën që të reagonte. Guri në pjesën e parë dhe Kale, pas pushimit, rivendosën ekuilibrin, por as trajneri vendas, Milinkoviç, as tifozët dhe as presidenti Gjici nuk duhet të kenë mbetur të kënaqur. Barazimi 2-2 bëri që Kukësi të jetë 5 pikë prapa Skënderbeut kryesues, ndërsa Vllaznia mori pak zemër, edhe pse ka vetëm 6 pikë dhe ndodhet ende pranë fundit.
Sfidanti.al