Hallet e Berishës e Strakoshës, Perlat Musta: Unë kam qenë titullar që 17 vjeç!

Ai vetë ka qenë një legjendë e rolit, një idhull. Perlat Musta është sot 64 vjeç, e padyshim që është njëri nga njerëzit e duhur për të komentuar momentin e vështirë të portierëve të kombëtares në ekipet e tyre të klubeve. Ish-gardiani kuqezi thotë se stoli është problem për Strakoshën, Selmanin dhe Berishën. “Është për të gjithë lojtarët, jo vetëm për portierin, por për portierin është më shumë, – thotë ai, – thuhet se lojtar të bën fusha dhe portier të bën porta. Stërvitja nuk ta zëvendëson dot ndeshjen, nuk e ka atë emocion negativ”. Legjenda e Partizanit thotë se është i bindur se Strakosha, Berisha dhe Selmani po kërkojnë ekip tjetër dhe se nuk duan të jenë në stol, ndërsa beson se Berisha mund të preket më pak nga kjo gjë për shkak të përvojës që ka.  Ish-ylli i portës kuqezi rrallë ka pasur probleme të tilla në karrierë. “Jo për mburrje, por kam qenë titullar që 17 vjeç, – thotë Perlati, – vetëm një kohë të shkurtër kam qenë në stol, ndërsa kjo më ka ndodhur kur isha 36 vjeç tek Dinamo e Bukureshtit, por atëherë nuk ishte problem”.

Sfidanti.al