Guardiola: Arsenali do të gabojë nëse nuk do t’i besojë Artetës!

Trajneri i Mançester Sitit i doli fuqishëm në krah kolegut dhe shokut të tij, edhe pas humbjes së rëndë të Arsenalit në Kupën e Ligës. “Ata (drejtuesit) do të bëjnë gabim të madh nëse nuk do t’i besojnë, – tha Guardiola, – unë jam i sigurt se ata do t’i besojnë. i kuptoj analistët, ata analizojnë rezultatet, por unë kam punuar shumë vjet me të (Artetën) dhe e di se çfarë cilësish ka si njeri dhe si trajner. Suksesi është çështje kohe dhe ai do t’ia dalë mbanë”.

Për Artetën ka pasur kritika të ashpra, sepse Arsenali ndodhet në vendet e poshtme të Premier Ligës, ndonëse ka ecur mirë në Ligën e Europës. Forma e londinezëve është në kontrast të plotë me atë të fundit të sezonit të kaluar, kur Arsenali fitoi Kupën e Anglisë dhe Superkupën ndaj Liverpulit. “Kishte kohë që ekipi nuk fitonte kaq shumë dhe kjo nuk duhet harruar, – tha Pepi, – kanë pasur probleme me dëmtimet, ndërsa gjithnjë kanë luajtur mirë”. Vetë Arteta thotë se nuk do të dorëzohet kurrë dhe se do t’i mbështesë lojtarët e tij, pavarësisht gjithçkaje.

Sfidanti.al