NBA nis me spektakël: Klipersat mundin kampionët Lejkërs, Durant-Irving bëjnë ligjin!

Nuk ishte mbrëmja e atyre që fitojnë titujt. Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan, Los Anxhelos Lejkërs, u mundën në startin e sezonit në derbin ndaj Klipersave. Lebron Xhejms dhe Entoni Dejvis u dorëzuan më së pari përballë Pol Xhorxhit, që udhëhoqi ekipin e tij drejt fitores 116-109. Ai realizoi 33 pikë, nga të cilat 26 në pjesën e dytë, ndërsa ylli kryesor i ekipit, Kauaj Leonard shtoi 26 pikë.

Pas zhgënjimit të vjetshëm, kur Klipersat ishin pretendentë për kurorën, duket se këtë herë ata nuk duan të dështojnë përsëri. Lebron Xhejms shënoi vetëm 22 pikë për kampionët dhe Dejvis 18, ndonëse kjo ishte thjesht ndeshja e parë e një sezoni të gjatë në NBA, që përfshin edhe plej ofin.

Një paraqitje e madhe, ndërkaq, u bë nga ai ekip që cilësohet si “favoriti i fshehtë” i vitit. Bruklin Nets, ekip i metropolit Nju Jork, synon të sfidojë superfuqitë tradicionale dhe të bëhet skuadra numër 1 e qytetit kryesor të botës, për të lënë pas Nju Jork Niksat. Shpresat janë mbështetur tek dyshja Kevin Durant-Kajri Irving, dhe dy yjet u përgjigjën siç duhet.

Së bashku shënuan 48 pikë në fitoren e thellë, 125-99 ndaj ish-kampiones së madhe, Golden Stejt. Duranti u kthye në fushë pas një viti e gjysmë mungese për shkak dëmtimi, po aq i mirë sa dikur. Ish-ylli i Golden Stejtit, që fitoi dy tituj me kalifornianët, shënoi 22 pikë në 25 minuta në parket, ndërsa Kajri Irving ishte shënuesi më i mirë i ekipit me 26 pikë. Ishte hera e parë që Duranti dhe Irvingu luanin së bashku, që kur Bruklini i bashkoi në verën e vitit 2019, dhe skuadra e Lindjes tregoi se mund të quhet pretendente.

Sfidanti.al