Gjermania tronditet nga vdekja e ish-të dashurës së Boatengut!

Përse mund të humbë jetën një vajzë 25-vjeçare? Gjermania është tronditur nga lajmi se modelja Kasia Lenhart (Lenhardt), ish-e dashura e lojtarit të Bajernit, Zherom Boateng, është gjetur e vdekur në apartamentin e saj në Berlin. Kjo ngjarje tragjike ndodhi vetëm 1 javë pasi ajo dhe Boateng njoftuan ndarjen pas një historie dashurie që u bë problematike, me akuza të shprehura publikisht mes tyre. Vetë mbrojtësi 32-vjeçar ndodhet në Katar me Bajernin, ku pret të luajë finalen e Kupës së Botës për klubet ndaj Tigresit të Meksikës. Pra, e qartë që për të nuk mund të ketë dyshime apo akuza për vdekjen e ish-të dashurës, ndonëse apartamenti ku ajo jetonte thuhet se i përkiste pikërisht mbrojtësit të qendrës.

Nuk janë dhënë hollësi për arsyet e tragjedisë, ndërsa vetë Boatengu pak kohë më parë ishte shprehur se Kasia kishte probleme të mëdha me alkoolin. Vajza 25-vjeçare dhe Boatengu u ndanë në 2 shkurt, ndërsa më parë kanë pasur lidhje të tjera. Futbollisti e akuzoi Kasian se kishte sabotuar lidhjen e tij me Rebeka Silverën në tetor 2019. Ndërsa në shkurt 2020, Kasia e quante Boatengun “dashuria ime”, në dhjetor nisën sherret dhe ajo e cilësoi “një djall”. Vetë Zheromi tha se ajo e kishte kërcënuar dhe kishte gënjyer kur kishte thënë se ai e kishte dhunuar. Më herët, akuza për dhunë ndaj Boatengut kishte bërë edhe Rebeka.

Sfidanti.al