Murinjo-Ançeloti, “histori dashurie” në prag të duelit të Kupës!

Nuk është se janë përplasur me njëri-tjetrin dhe italiani ka qenë një nga trajnerët e paktë që portugezi e ka respektuar duke mos e sulmuar publikisht. Po ashtu, edhe Sër Aleks Fergusoni kishte një mendim shumë të lartë për Karlo Ançelotin, ndërsa sot ish-milanisti do të jetë përballë Zhoze Murinjos në ndeshjen e Kupës. Në konferencat për shtyp para duelit Everton-Totenhem në 21:15, të dy burrat folën shumë mirë për njëri-tjetrin.

“Ançeloti nuk shkon në një ekip për të kaluar kohën kot, – thoa Murinjo, – Karlo është Karlo, një fitues. Ai dëshiron të jetë gjithnjë vetvetja. Mori lojtarë shumë të mirë si Alan apo Hames (Rodrigez), dy emra të mëdhenj. Me durimin dhe punën e vazhdueshme, ai është trajneri më i mirë për t’i dhënë një trofe Evertonit”. Ançeloti po ashtu pati “mjaltë” për të nxjerrë nga goja. “Mendoj se idetë tona për futbollin janë të afërta, – tha ai, – është nder për mua që krahasohem me Zhozen. Nuk flasim shumë për këtë, por forma që shoh tek ekipet e tij është e ngjashme me tonën. Ekipet e Murinjos janë të ekuilibruar, të fortë në mbrojtje dhe në sulm. Nuk e di nëse quhet stil i vjetër apo i ri, nuk ka rëndësi”.

Sfidanti.al