Australianët kanë më shumë frikë Kovidin, sesa qejf Grand Slemin!

Në çfarë mënyrë duhet parë gota këtë herë? Në Melburn ka nisur Australian Openi, Grand Slemi i parë i tenisit për këtë vit, dhe tifozët janë lejuar në tribunat e arenave. Ndërsa tenistët ndjejnë më në fund se po luajnë në kushte normaliteti, ndryshe nga kufizimet e 2020-ës, organizatorët janë të shqetësuar.

Së pari, publiku nuk po i përgjigjet thirrjes sipas asaj që pritej, dhe numri i spektatorëve nëpër ndeshje është i vogël, ndonëse ata ishin të lejuar të rrinin pa maska. Shifrat e ditës së parë ishin 17 922 spektatorë gjithsej, që do të thotë 3 herë e gjysmë më pak se vjet. Nik Kirios u desh të luante në prani të një turme prej vetëm 1 000 njerëzish, ndërsa Arena kishte kapacitet 10 herë më të madh.

Organizatorët po bëjnë çmos për ta ndryshuar situatën dhe ka njoftime se ata po shpërndajnë falas bileta të cilat normalisht do të kushtonin mbi 360 dollarë australianë. Po ashtu, do të ketë shpërblime me bileta shtesë për ata që do paguajnë për të parë ndeshjet. Gjithsesi, lejimi i publikut është bërë me kufizime, pasi tifozët nuk mund të largohen nga një sektor në tjetrin, duke ia ulur mundësinë për të provuar më shumë emocione.

Shqetësimi tjetër ka të bëjë me ndikimin që Grand Slemi do të ketë në përhapjen e koronavirusit në Australi. Pavarësisht se po zhvillohet me masa të rrepta mbrojtëse dhe me karantinë për yjet pjesëmarrës, sërish një ndikim negativ mund të shkaktohet. Shteti i vendosur në njërin nga kontinentet e botës ka qenë ndër më të suksesshmit për të përballuar epideminë, duke pasur vetëm rreth 900 viktima në një popullsi prej mbi 25 milionë banorësh. Qytetarët australianë nuk duan që këtë gjendje të siguruar me shumë sakrifica dhe karantinë, ta rrezikojnë qoftë edhe për Australian Openin.

Sfidanti.al