Futbolli qenka demokraci për yjet dhe UEFA-n, jo për tifozët!

Tifozët e Bajernit ishin sërish në qendër të vëmendjes pas një ndeshjeje të Championsit, me protestën e tyre për çmimin e biletave. Pasi demonstruan me parulla në stadiumin e Anderlehtit në Bruksel, ata hodhën në fushë kartmonedha false prej 500 eurosh, në të cilat ishte stampuar fytyra e Nejmarit.

Në Bruksel, zemërimi i tyre kishte të bënte me çmimin prej 100 eurosh për çdo biletë që ishin të detyruar të paguanin, një diferencë e madhe me çmimet e lira në Gjermani. Këtë herë, siç duket, e kishin inatin me Nejmarin, simbolin e futbollit të kthyer në një biznes shumë të shtrenjtë, pas kalimit të tij nga Barcelona tek Paris SG për 220 milionë euro.

Kjo duket se ka sjellë edhe rritje të çmimit të biletave meqë kostot e blerjeve të lojtarëve dhe të rrogave të tyre duhet të përballohen në një farë mënyre. Në këtë lojë të keqe ka hyrë edhe UEFA që e gjobiti Bajernin për parullën e shpalosur nga tifozët e tij në Bruksel, duke e quajtur “të papranueshme” dhe që “shkelte rregullat”.

Pritet që të vijë edhe një gjobë për paratë false të hedhura në fushë dhe për parullën e nxjerrë edhe në “Alianc Arena” ku kërkohej që UEFA t’u kthente tifozët paratë që ua kishin marrë me pa të drejtë me çmimin e biletave. Parimi në demokraci është që njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, por duket se në futbollin e sotëm demokracia vleka vetëm për yjet në fushë dhe për UEFA-n, jo për tifozët.

Sfidanti.al