F.1: Hamilton fiton në Angli e Verstapen del jashtë, diferenca veç 8 pikë!

Me të drejtë, mediat britanike shkruan se nga 52 xhiro në Silverston duhet të harrohen 51 dhe të mbahen mend vetëm 9 kthesa në xhiron e parë. Aty u gatua drama e Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe në Silverston dhe u rihap gara për titullin kampion në Formula 1. Gjithsesi, nuk ishte vetëm ai moment që siguroi fitoren e Ljuis Hamiltonit dhe humbjen e Maks Verstapenit, sepse u deshën edhe xhirot e tjera, dhe anglezi ia doli vetëm në 2-3 xhiro në fund.

Hamilton u dënua me 10 sekonda vonesë për aksidentin e tij me Verstapenin që bëri që holandezi i Red Bullit të dilte nga pista e të përplasej me gomat e barrierës. Më pas, piloti i Mercedesit u desh të zbriste në vendin e katërt kur ndërroi gomat, por pastaj pati një ritëm të jashtëzakonshëm duke rikuperuar 13 sekonda ndaj Sharl Lëkrerkut të Ferrarit për të fituar në fund. Tashmë, Hamilton ka 177 pikë ndaj 185 të Verstapenit pas 10 garave deri tani. Anglezi, kampion i botës në fuqi, ka 4 fitore këtë sezon ndaj 5 të holandezit, ndërsa synon titullin e 8-të në karrierë, që do të ishte një rekord ndaj 7 që ka tani dhe që ka Shumaher. Ai ka arritur 99 fitore garash në karrierë.

Sfidanti.al