Nga Çokaj tek Vrioni, sezoni i shqiptarëve në Europë ka nisur shkëlqyeshëm!

Sezoni nuk ka nisur mirë, por edhe kaq po na tregon shumë. Lojtarët shqiptarë pritet të kenë një vit sportiv shumë të mirë në Europë, siç e treguan Enis Çokaj dhe Xhakomo Vrioni. Mesfushori Çokaj ishte vendimtar në javën e parë të Ligës së Parë të Kroacisë, duke ndihmuar ekipin e tij, Lokomotivën e Zagrebit në barazimin 2-2 ndaj Hajdukut të Splitit. Shqiptari ishte autor i të dy asistëve të golave, që u shënuan përkatësisht nga Nikola Soldo dhe Marko Dabro në fund të pjesës së parë dhe në nisje të së dytës. Tek Lokomotiva e Zagrebit ka disa lojtarë shqiptarë, siç janë Enis Çokaj, Albion Marku, Jon Mersinaj, Indrit Tuci, Arbër Hoxha dhe Hajdin Salihu.

Ndërkaq, vazhdon forma e mirë e Xhakomo Vrionit në Austri. Sulmuesi 22-vjeçar, pasi realizoi 4 herë në dy ndeshje miqësore për Vaker Tirolin e Insbrukut, e përsëriti veten në raundin e parë të Kupës së Austrisë. Tiroli fitoi 3-0 në fushën e Leobendorfit, dhe Vrioni shënoi njërin prej golave. Futbollisti i Shqipërisë U21 dhe që bën pjesë tashmë në organikën e kombëtares, është huazuar nga Juventusi në Bundesligën e Austrisë me synim për të fituar përvojë dhe për të pasur minutazh në fushë. Duket se gjithçka po shkon mbarë, të paktën deri tani.

Sfidanti.al