Efekti Ronaldo, ky Juventus është vërtet një ekip “Kristian”!

Nuk flitet këtu vetëm për golat e shënuar apo asistet për gol. Kristiano Ronaldo, mesa duket, është shumë më tepër se kaq në një skuadër futbolli, dhe kjo po provohet tek Juventusi. “La Gazeta delo Sport” shkruan se “Juventusi është Kristian”, jo në kuptimin fetar, por për shkak të ndikimit të superyllit portugez.

“Ronaldo është demokratik dhe ushtron ndikim tek çdo shok ekipi, – shkruan gazeta, – i përmirëson, bën efekt, i merr me vete në entuziazmin e tij, ndikon tek loja në mënyrë direkte, dhe ndikon tek cilido lojtar që “bie në kontakt” me të, që nga Shezni e deri tek Manxhukiç. Edhe Alegri e ndjen, ndërsa sot kemi një tjetër Dibalë dhe një lojë më spektakolare”.

Kjo është arsyeja që Ronaldo mbetet rival i Mesit për titullin e më të madhit futbollist të botës. Juventusi po përfiton jo vetëm në popullaritetin botëror apo financat, por edhe direkt në fushë. Në të kundërt, Reali duket se po kalon një periudhë të vështirë pa ndikimin transformues të CR7-ës.

Sfidanti.al