Nuk është gjë e vogël të ndërrojë rregulla futbolli, por herë pas here ndodh. Tagrin e ka Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit, i cili u mblodh së fundmi në Gllazgou të Skocisë, nën drejtimin e presidentit të Federatës së Futbollit të Skocisë, Ian Maksuell. Bordi, që ka në përbërje federatat britanike dhe FIFA-n (!!), vendosi disa ndryshime për portierët, penalltitë apo të tjera.
Portieri do të lejohet që të mbajë njërën këmbë jashtë vijës fatale gjatë gjuajtjes së penalltive, ndërsa deri tani ishte i detyruar t’i mbante që të dyja në vijë. Portierët besohet se do të jenë të kënaqur.
Do të braktiset sistemi i ri i penalltive, të provuara në Kupën e Ligës në Angli. Ky sistem, me emrin e shkurtuar ABBA, bënte që një skuadër të gjuante dy penalti njërën pas tjetrës, pak a shumë si loja përcaktuese në tenis (taj-brejk), por klubet kanë deklaruar se nuk janë të kënaqur.
Gjatë zëvendësimit, lojtari mund të dalë nga fusha në pikën më të afërt të mundshme. Ndryshimi tjetër i pritshëm është kur topi godet arbitrin dhe shënohet gol, apo zotërimi i topit i kalon skuadrës tjetër. Në këto raste, do të ketë top të diskutueshëm.
Sfidanti.al