E ardhmja e Mesit është një mister, por tani asgjë nuk habit!

Lionel Mesi ra dakord në fund të pranverës që të rinovonte me Barcelonën. Vetë argjentinasi nuk e ka thënë kurrë diçka të tillë, por gjithsesi ishte e qartë se akordi ishte arritur. Megjithatë, vera nuk kaloi mirë për katalanasit dhe për yllin e tyre më të madh. Largimi i Nejmarit sikur i ka prerë krahët Mesit, por më shumë e ka bindur se kjo Barcelonë e presidentit Bartomeu do ta ketë të vështirë të mbajë ritmin e lartë të Realit, jo më që ta kalojë siç bënte në kohën e Laportës, Guardiolës dhe Luis Enrikes.

Lajmi që vjen është thuajse sensacional, ndonëse pas 222 milionë eurove paguar nga PSG për Nejmarin, asgjë nuk mund të habisë. Nga Franca shkruhet se Mançester Siti është gati të paguajë 300 milionë euro për ta marrë Mesin, ndërsa numrit 10 i ka mbetur vetëm 1 vit kontratë. Asnjëherë nuk është fshehur dëshira e Guardiolës për të punuar përsëri me Leon, as respekti që futbollisti ushqen për trajnerin e tij.

Gjithsesi, duket e vështirë që pikërisht në këto momente të sezonit Mesi të largohet tani nga “Kamp Nou”. Ylli më i madh i botës ka detyrime ndaj klubit, pavarësisht nga antipatia që mund të ketë për ndonjë drejtues, dhe ikja e tij pas asaj të Nejmarit do ta dëmtonte pa masë Barcelonën. Pritet që Mesi të rinovojë, dhe duke parë si do të shkojnë punët, të marrë një vendim vitin tjetër.

Sfidanti.al