Nuk ishte ndonjë triumf marramendësh, porse thjesht 1-0. Gjithsesi, kur flasim për Mançester Junajtidin, rëndësi ka fakti që të arrihet fitorja, që ekipi të japë siguri dhe të ketë identitet në lojë, ndërsa rivalizimi me Mançester Sitin, Liverpulin apo Çelsin mund të bëhet në një moment të dytë. E tillë gjendja te klubi më i famshëm në Premier Ligë (20 tituj ndaj 19 të Liverpulit), 8 vjet e gjysmë pas largimit të Sër Aleks Fergusonit. Gjithsesi, “takimi” me Ralf Rangnikun u duk i suksesshëm. Lojtarët dhe tifozët sikur kanë rënë në dashuri me trajnerin gjerman, duke parë lojën e “djajve të kuq” sidomos në pjesën e parë ndaj Kristël Palasit.
Presing pranë zonës së kundërshtarit, dominim me zotërimin e topit dhe mos pësim goli. Këto ishin kërkesat e Rangnikut ndaj futbollistëve dhe ata bënë gjithçka për të zbatuar detyrat. Rashford, Ronaldo, Fernandes, Mektominai, Fred, Dalo, Tejes “iu hodhën në fyt” kundërshtarëve. Goli erdhi shumë vonë, në 77’ falë brazilianit Fred, por fitorja ishte e merituar me 61 për qind zotërim topi. Rangnik luajti me skemën 4-2-2-2, dhe kjo ndihmoi lojtarët e krahëve si dhe Sançon e Fernandesin. Portieri De Gea ishte spektakor, ndërsa Palasi bëri vetëm 2 gjuajtje në portë, një ndryshim i madh për një ekip që kishte pësuar 24 gola në 14 ndeshjet e kaluara. Në tribunën kryesore, Sër Aleks Fergusoni, Denis Lou dhe Uejn Runi padyshim që mbetën të kënaqur.
Sfidanti.al