U arrit fitorja e dytë radhazi në Serinë A, dhe sikur u harruan disfatat me Çelsin dhe Atalantën. Juventusi është ngritur tashmë në këmbë, ndonëse ende nuk e ka nisur vrapimin për të arritur katër skuadrat që janë përpara në renditje. Xhenoa e trajnerit Andrij Shevçenko u mund 2-0 në “Alianc”, dhe me shumë rëndësi ishte fakti që skuadra e Masimiliano Alegrit tregoi edhe futboll. Kuadrado shënoi që në minutën e 9-të madje direkt nga goditja e këndit. U desh të pritej minuta e 82-të që Paulo Dibala të vendoste “siguresën” në fitoren e radhës.
Suksesi nuk lejoi që Fiorentina të largohej, që Lacio ta parakalonte, ndërsa Romën e la prapa. Natyrisht, nuk është për t’u lumturuar më shumë sesa duhet sepse dy fitoret radhazi janë arritur kundër Salernitanës dhe Xhenoas, jo kundër kundërshtarëve tepër të fortë. “Fitorja u arrit me mend në kokë, – tha Alegri, – gjithsesi, do të bëjmë një bilanc pas 3 ndeshjeve të radhës. Katër skuadrat përpara nesh e meritojnë renditjen që kanë, por ndoshta mund të ketë ndryshime në të ardhmen”.
Sfidanti.al