Jo gjithçka shkëlqen tek Juvja, sherr Alegri-Morata, jo firmë e Moratës!

Ishte minuta e 73-të e ndeshjes, me rezultatin 1-0 për vendasit, kur trajneri i “Zonjës së Vjetër” vendosi të bënte një zëvendësim. Alvaro Morata la fushën e lojës dhe ndërsa shkoi drejt stolit, u përball me Maks Alegrin e zemëruar. “I dhurove një faull kundërshtarëve dhe pastaj more karton të verdhë”, – bërtiti trajneri. Sulmuesi spanjoll u përpoq të mbrohej e të justifikohej, por Alegri i tha që të mbyllte gojën, dhe Morata shkoi e u ul në vendin e tij, i nxirë në fytyrë. Pas ndeshjes, trajneri deklaroi se “nuk doja që ta zëvendësoja, por mori të verdhë dhe rrezikonte të kuqin, më vjen keq sepse po luante mirë”.

Gjithsesi, ky nuk është problemi më i madh tek Juventusi, sepse këto janë gjëra që ndodhin. Problem është që Paulo Dibala nuk po rinovon kontratën, ndërsa afrohet janari kur ai mund të bisedojë lirisht me klube të tjerë. Kontrata e argjentinasit përfundon në qershor, pra çfarë pritet të ndodhë me të? “Nuk është problem kontrata ime, – thotë Dibala, – klubi për momentin ka gjëra të tjera më të rëndësishme”. E thotë me seriozitet, apo me tallje?!

Sfidanti.al