Pak ditë më parë u krijua një atmosferë e pakëndshme, ndonëse jo në aparencë pasi braziliani vendosi të ekzekutonte një 11-metërsh. Ishte hera e dytë radhazi që Nejmari dilte përpara Kilian Mbapesë tek Paris SG për gjuajtjet e penalltive, dhe duket se diçka ka shpërthyer në brendësi të ekipit me trajnerin Kristof Galtie që u detyrua të thoshte para gazetarëve se “Kiliani është i pari që gjuan penalltitë, ndërsa Nejmari i dyti”. Vazhdimisht u hodh dyshimi nëse numri 10 do të pranonte këtë hierarki, ndërsa forma shumë e mirë e deritashme e kishte ndihmuar të shkëlqente në fushë. Gjithsesi, Galtie e la në stol në fitoren 3-0 të PSG-së në fushën e Nantës, dhe sërish nisëm spekulimet nëse ka diçka që nuk shkon. Mbapeja shënoi 2 gola derisa Nejmari e zëvendësoi, ndërsa trajneri tha se “e lashë pushim brazilianin për ta pasur të freskët për Championsin”. Po thotë të vërtetën, apo jo?!
Sfidanti.al