Mançester Siti gaboi, por edhe rivali që mendohet si kryesor nuk ia doli. Liverpuli kaloi një 90 minutësh të ashpër në stadiumin “Gudison Park” të Evertonit duke dalë barazim 0-0 në derbin e qytetit. Nënkampionët e Anglisë dhe të Europës goditën tri herë shtyllën dhe patën shumë raste, të ndaluar nga portieri i kombëtares, Pikford. Gjithsesi, skuadra e trajnerit Jurgen Klop edhe shpëtoi mirë në disa raste, pasi Evertoni rrezikoi dhe goditi një herë shtyllën. “Rregulli numër një është se nëse nuk e fiton dot derbin, të paktën mos e humb, – tha gjermani, – ne mund të kishim fituar, por edhe mund të kishim mundur. Mendoj se ne do ta kishim merituar fitoren. Nuk kemi bërë një fillim ëndrrash të kampionatit, kjo është e qartë. Nënte pikë në 6 ndeshje nuk janë ajo që duam, por kjo është situata. Duhet ta pranojmë dhe të luftojmë që ta ndryshojmë”. Premier Liga duket shumë e fortë këtë vit, pasi në garë për titull janë Siti e Liverpuli, por edhe Arsenali e Totenhemi, ndërsa Çelsi e Mançester Junajtidi gjithashtu kanë pretendime.
Sfidanti.al