Nëse humbet dhe mbetesh pa asnjë trofe në kabinet, atëherë plasin konfliktet. Kjo sidomos kur quhesh Juventus dhe ke fituar 9 tituj radhazi në Serinë A deri në 2020. Atmosfera në klubin e madh italian nuk ishte nga më të mirat në përfundim të finales së Kupës së Italisë, humbur 2-4 ndaj Interit pas kohës shtesë. Edhe pse komentet e Arrigo Sakit dhe të të tjerëve ishin që Juvja edhe mund të kishte fituar, kjo nuk i ka ngushëlluar drejtuesit. Zv. Presidenti Pavel Nedved kritikoi ekipin dhe trajnerin, ndërsa pati një përplasje të ashpër me presidentin Andrea Anjeli, të paktën siç raporton “La Gazeta delo Sport”. Nuk dihet sesi këta njerëz mund të vazhdojnë të punojnë bashkë, kur dihet se Nedved ka pasur probleme edhe në të kaluarën. Nga ana tjetër, trajneri Masimilano Alegri konfirmohet për sezonin e ardhshëm, ndonëse kushti është që nuk duhet të ketë një nisje të gabuar të kampionati ashtu si në 2021. Vetë Alegri është tepër i nervozuar dhe analistët në Itali thonë se nuk e kanë parë kurrë në një gjendje të tillë.
Sfidanti.al