Bundesliga kthen 100 për qind tifozët në stadiume, por me disa rregulla!

Impiantet e kampionatit gjerman do të ndahen në disa kategori, por e rëndësishme është që duke plotësuar disa kushte, ndeshjet do të mund të luhen me kapacitet të plotë të tifozëve nëpër stadiume. Vendimi i autoriteteve është që nuk do të ketë më tribuna pjesërisht të mbushura, ndërsa kategoritë sipas rregullave janë 5. Kategoria 2G, ku bëjnë pjesë stadiumet e Leverkusenit, Volfsburgut dhe Këlnit, dhe që lejon hyrjen vetëm të të vaksinuarve dhe të atyre që e kanë kaluar kovidin. Kategoria 3G, ku bëjnë pjesë Frajburgu, Unioni i Berlinit, Lajpcigu, Gladbahu, Hofenhajmi, Shtutgarti, Herta e Berlinit, Arminia e Bilefeldit dhe Bohumi, ku lejohen ata që janë vaksinuar, të shëruarit dhe ata që kanë bërë test për koronavirusin. Kategoria 3G+, ku bëjnë pjesë Bajerni dhe Grojter Fyrti, ku lejohen të vaksinuarit, të shëruarit  dhe ata me test PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë. Kategoria 2G*, ku bën pjesë vetëm Mainci, dhe ku rregullat janë si tek 2G, por ka edhe 1 000 vende ku zbatohen rregullat e 3G-së. Së fundi është edhe 3G*, ku është pjesërisht Dortmundi dhe ku kërkohen testet PCR ose testet ditore antigen të përditshëm.

Sfidanti.al