Policia serbe është shumë e alarmuar për ndeshjen mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut në Ligën e Europës. Aq sa nuk ka lejuar asnjë devijim sado të vogël nga itinerari i udhëtimit nga Aeroporti “Nikola Tesla” deri në stadium apo në hotel. Në fugonin luksoz të vënë në dispozicion nga klubi serb, ishin gazetarë, punonjës shqiptarë të sigurisë dhe presidenti Takaj, por as ky i fundit nuk mundi të ndryshonte gjë. Takaj kërkoi disa herë të ndryshohej destinacioni, dhe fillimisht të shkohej në hotel, ose, në pamundësi, të merrte një taksi për të shkuar vetë në hotel, pasi duhej të ishte gati për darkën zyrtare. Kjo ishte e pamundur.
Me shumë edukatë, por me këmbëngulje, shoqëruesja serbe në automjet dhe shefja e saj nëpërmjet telefonit, refuzuan të ndryshonin programin. Delegacioni shqiptar shkoi në stadiumin e Partizanit, ku u zhvillua konferenca dhe stërvitja, dhe më pas u vendos në hotel “Kroun Plaza” (Crowne Plaza) në krahun tjetër të lumit Sava, në Beogradin e Ri. Masat e sigurisë ishin të forta në stadium, padyshim edhe në hotel, por shqetësimi nuk erdhi nga ultrasit serbë, por nga problemet teknike të automjetit luksoz, të cilit nuk i hapej dera e pasagjerëve, dhe u desh të pritej minuta të tëra për të marrë çelësat e dhomave.
Sfidanti.al