Lionel Mesi ende nuk ka rinovuar me Barcelonën, ose të paktën fotoja e rinovimit nuk është treguar. Nuk mund të mungonte kjo pyetje për trajnerin e katalanasve, Ernesto Valverden, në prag të sfidës së madhe të Ligës së Kampionëve në fushën e Juventusit. “Nuk e di se çfarë rëndësie ka të flasim për këtë foto (të rinovimit të Mesit), – tha Valverde, – mendoj se ka udhëtuar edhe këtë herë me ne. Le të kënaqemi duke parë lojën e tij dhe që është këtu me ne, dhe le të përqëndrohemi tek ndeshja e madhe që na pret”.
Dibala mungon (por, mund të jetë një ditë tek Barça). “Dibala është një lojtar shumë i rëndësishëm për ta, por të tillë janë edhe Pjaniç, Kuadrado apo Higuain, – komentoi trajneri “azulgrana”, – Juventusi është një bllok i fortë”.
Valverde nuk deshi të bënte lidhje mes Juventusit dhe dështimit të Italisë për të shkuar në Botëror. “Nuk di ç’ndodh me futbollin italian, por Juventusin e shoh si një ekip të madh të Europës, të cilit i druhem, sidomos kur luan në fushën e vet”, – deklaroi Ernesto Valverde. Barcelona kryeson grupin në Champions, ndërsa ndeshjen e parë në “Kamp Nou” e fitoi 3-0, me dy gola të Mesit dhe një të kroatit Rakitiç.
Sfidanti.al