Bajerni fiton ndeshjen dhe aktivizon të rinjtë, kthehet qetësia në Mynih

Fitore, tripikësh dhe mjaft të rinj që e patën sërish mundësinë e tyre. Bajerni dhe trajneri Julian Nagelsman duhet të jenë të kënaqur me suksesin 2-0 në fushën e Hofenhajmit, me një paraqitje që tregon se në Mynih është kthyer normaliteti. Xhamal Musiala shënoi në 17’ për avantazhin, dhe pastaj Erik Maksim Çupo-Moting për 2-0 që në pjesën e parë. Sulmuesi i ardhur nga Paris SG po e luan shumë mirë rolin e tij që të shënojë një pjesë të rrjetave që dikur i realizonte Robert Levandovski. Në fushë ishin portieri Ulrajh, Koman, Musiala dhe Çupo-Moting, ndërsa pas pushimit hynë Mane, Tel, Gravenberh apo Mazraui. Të paktën, në “Zebener Shtrase” do të ketë më pak ankesa. Bajerni ka 22 pikë duke qenë vetëm 1 pikë prapa Unionit të Berlinit, që ka një ndeshje më pak, e duket se kampionët janë kthyer plotësisht në skenë. Gjithsesi, “luftëtarët e vegjël”, si Frajburgu, mbeten kërcënues, pasi ekipi modest fitoi 2-0 ndaj Verderit dhe ka 21 pikë.

Sfidanti.al