Bajerni fiton derbin dhe del në vend të parë, Dortmundi bie në Mynih!

Ekzistonte frika që më parë, dhe ashtu ndodhi. Nuk pati histori përballja kryesore e Bundesligës, edhe pse Bajern-Dortmund cilësohet si Derbi i Gjermanisë. Siç ka ndodhur edhe shumë herë të tjera këta 10 vjet, bavarezët goditën fort që në fillim dhe nuk lejuan asnjë diskutim duke fituar 4-2. Me këtë sukses, kampionët morën sërish vendin e parë në renditje. Në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit të ri, Tomas Tuhel, Bajerni shënoi tri herë në vetëm 10 minuta duke mbyllur gjithçka që në fillim. Autogol i Kobelit në 13’, pastaj dy herë radhazi rrjeta të Tomas Mylerit në 18’ dhe 23’.

Pas pushimit mendoi sulmuesi tjetër Çupo Moting për të realizuar të katërtin dhe u duk se Dortmundi do ta pësonte shumë keq. Gjithsesi, bavarezët e ulën disi përqëndrimin, duke mos u treguar shumë të saktë para portës kundërshtare dhe kjo bëri që miqtë të mos turpëroheshin. Në minutat e fundit, ata arritën të ngushtonin shifrat në 4-2 me golat e shënuar nga Emre Xhan me penallti dhe Doniel Malen. Bajerni kryeson renditjen me 55 pikë kur duhen edhe 8 javë deri në fund të kampionatit, ndërsa Dortmundi e ndjek me 53.

Sfidanti.al