Bajerni dhe Halandi, përse në Gjermani e mendojnë “martesë të vështirë”!

Karl-Hajnc Rumenige dhe Uli Hënes kanë hedhur dyshime nëse kjo gjë mund të ndodhë. Një transferim i Erling Halandit tek Bajerni i Mynihut edhe është i mundshëm, edhe duket jo realist për të ndodhur dhe në Gjermani ka shumë diskutime dhe analiza për këtë. Rumenige dhe Hënes kanë vënë theksin tek “paketa financiare” që duhet për sulmuesin norvegjez, pra pagesën për kartonin dhe rrogën. Ekziston një variant që Robert Levandovski të largohet verën e ardhshme për 60 milionë euro, atëherë për të marrë kartonin e Halandit do të duheshin jo më shumë se 15-20 milionë. Asgjë për Bajernin!

Gjithsesi, rroga e 21-vjeçarit pritet të jetë shumë e lartë, dhe bavarezët këtu nuk lëshojnë pe! Ata larguan David Alabën për këtë punë, dhe pritet që edhe Koman të ikë po për këtë arsye. Ka edhe një shkak tjetër që e bën klubin e madh gjerman të hezitojë dhe ky lidhet me agjentin e Halandit, Mino Raiolën. Lojtarët e këtij agjenti i ndërrojnë shpesh klubet, në bazë të rrogës që ofrohet, pra sulmuesi nuk do të ishte një zgjidhje afatgjatë për Bajernin.

Sfidanti.al