Është ende larg vendeve të para, ndonëse është ende fillimi i sezonit. Interi nuk bindi, por fitoi në një stadium të vështirë si ai i Sasuolos, në një ditë që nuk ishte aspak e Kristjan Asllanit, por ishte e Edin Xhekos. Mesfushori shqiptar qendroi në fushë vetëm për 45 minuta, edhe pse ishte titullar, por u paraqit dobët dhe u zëvendësua në pushim. Për më tepër, mori edhe një karton të verdhë. Mkitarian, që luajti në vend të tij, bëri shumë më tepër dhe Interi shfrytëzoi klasin e nuhatjen e Edin Xhekos që shënoi 2 golat dhe që arriti në 101 rrjeta në Serinë A në karrierë. Boshnjaku dha epërsinë 1-0 dhe pastaj 2-1 pas pushimit. “Dëshira për të fituar tejkaloi lodhjen e mesjavës ndaj Barcelonës, – tha trajneri Inzagi, – Lautaro po lufton fort, do të vijë edhe goli. Xheko luajti shumë mirë dhe Onana më pëlqeu, mund të konkurrojë denjësisht me një kampion si Handanoviç”. Interi u ngjit në 15 pikë në 9 ndeshje, por duhet vazhdimësi nëse dëshirohet të synohet titulli.
Sfidanti.al