U mendua se do të ishte një rast i humbur dhe thuajse ashtu ndodhi. Arsenali ishte i ndaluar në barazim 1-1 në “Emirejts” deri në minutën e fundit shtesë, në një mundësi të madhe të shpërdoruar për t’iu afruar zonës Champions, por “topçinjtë” më në fund po dijnë që ta mbajnë “barutin të thatë”. Një gol i sulmuesit francez, Lakazetë në minutën e 95-të i dha fitoren 2-1 dhe i përforcoi pozitat në tabelën e Premier Ligës. Skuadra e trajnerit Mikel Arteta, pavarësisht problemeve me lojtarët si me Obamejangun apo Xhakën, po forcohet gjithnjë e më shumë, dhe po tregon se po “farkëton” karakterin e një ekipi të madh. Koreani Hi-Çan Huan shënoi në 10’ për Uolvesin dhe Nikolas Pepe barazoi në 82’, pra londinezët e arritën fitoren në 13 minutat e fundit.
Arsenali ka tani 45 pikë në 24 ndeshje, ndaj 46 pikëve që ka Mançester Junajtidi në 26 ndeshje , ndërsa Çelsi i vendit të tretë ka 50 pikë në 25 ndeshje. Me gjasë, “topçinjtë” janë kandidatët kryesorë për vendin e katërt, pozicioni i fundit që të kualifikon në Champions nga Premier Liga. “Jam shumë i lumtur, – tha Lakazeti, – e mrekullueshme që fituam këtë ndeshje në minutën e fundit. Ne e donim fitoren që të ngjiteshim në tabelë. Janarin e patëm të vështirë, por po kthehemi në shkurt”.
Sfidanti.al