Mund të quhet sezoni i tij, të paktën në këtë konkurrim. Armando Dobra ka qenë i dalluar që në raundet e kaluara të Kupës së Anglisë, dhe e tregoi veten sërish. Ish-sulmuesi i Shqipërisë U21, pasi i dha kualifikimin ekipit të tij, Çesterfildit, në raundin e parë ndaj Northamptonit, dhe pasi realizoi për së dyti në raundin pasardhës në fushën e Uimbëlldonit, u tregua sërish i saktë. Shënoi dy gola në sfidën që Çestërfildi luajti në fushën e vet ndaj Uest Bromuiçit, duke pasur gjithsej katër e duke qenë njëri nga më të mirët këtë sezon. Fillimisht, Dobra barazoi për 2-2 në minutën e 36-të, pas një aksioni të shpejtë të vendasve.
Më pas, sërish në pjesën e parë, 21-vjeçari goditi për avantazhin e përkohshëm 3-2 katër minuta para fundit. Për fat të keq, dy golat e sulmuesit shqiptar nuk i mjaftuan Çestërfildit për t’u kualifikuar, pasi sfida përfundoi në barazim 3-3 dhe do të duhet ndeshje e përsëritur, këtë herë në fushën e Uest Bromit. Gjithsesi, Dobra po e tregon veten në garën për trofeun më të vjetër në botë, ndërsa Kupa e Anglisë ka nisur të diskutohet që në 1872, pra një shekull e gjysmë më parë. Ai shpreson që të ngjitet në kategoritë e larta të futbollit ishullor, diçka që mund ta bëjë përderisa është shumë i ri dhe po spikat me golat e tij.
Sfidanti.al