Ançeloti nuk bën shumë eksperimente, por fiton sërish Asension!

“Djali i shtëpisë” ishte gati për t’u larguar nga “foleja”, por përfundimisht ndërroi mendje dhe qendroi. Marko Asensio, ashtu si edhe Lukas Vaskez, janë dy nga produktet e fundit të Akademisë së Realit, “La Fabrika” siç quhet, dhe këto kohë kishin luajtur një rol periferik, por herë pas here e tregojnë se çfarë talenti kanë. Kështu bëri Asensio në ndeshjen ndaj Sëlltikut, që ishte e fundit në Champions dhe ku fitorja 5-1 vulosi vendin e parë për madrilenët.  Sulmuesi, që luajti në vend të Benzemasë, shënoi gol dhe ishte më i miri në fushë.

Golat e tjerë erdhën nga Modriç e Rodrigo me penallti, si dhe nga Vinisius e Valverde. Trajneri Karlo Ançeloti nuk bëri shumë eksperimente, ndërsa u kuptua sërish se Reali ka potencial të madh. Benzema hyri në 64’, ashtu siç hynë Naço, Lukas Vaskez e të tjerë, ndërsa Rydiger këtë herë nuk u aktivizua fare, ndoshta si një lloj qortimi për paraqitjen e dobët ndaj Gironës. Hazar, ndërkaq, është i dëmtuar, ndërsa Reali ka alternativa të shumta.

Reali (4-3-3): Kurtua, Karvahal (Lukas Vaskez), Militao (Vajeho), Alaba (Naço), Mendi, Valverde, Kros, Modriç (Sebajos), Asensio, Rodrigo, Vinisius (Benzema).

Sfidanti.al