Alegri, mbrëmja më e bukur e karrierës, por: Nuk ka mbaruar!

Është tepër i pjekur dhe di ta ruajë edhe emocionin më të fortë. Gjithsesi, edhe “Maks” Alegri nuk mund të rrinte pa festuar fort këtë triumf të jashtëzakonshëm kundër “marsianes” Barcelonë. Trajneri i Juventusit me shumë gjasa është ndjerë si Marçelo Lipi në 2003 kur skuadra e tij bardhezi eleminoi Realin e madh të galaktikëve në gjysmëfinalen e Championsit. Alegri thotë se “futbollistët dhe klubi e meritonin një mbrëmje të tillë”. “Nuk ka pse ta frenojmë entuziazmin, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kemi luajtur një ndeshje të madhe”, – pohoi pa u rezervuar shumë.

Gjithsesi, “rruga është ende shumë e gjatë”, janë fjalët e mëtejshme. “Të mendojmë për Peskarën, dhe pastaj të shkojmë në Barcelonë për të shënuar gol”, – përfundon Alegri. Ai e di se diferenca me Juventusin e Lipit në 2003 është se, kjo Juve nuk e ka arritur ende kualifikimin. Atëherë u dërguan në shtëpi Zidan, Figo, Ronaldo, Bekam apo Roberto Karlos, pa harruar Raul Gonzalesin, ndërsa Mesi, Nejmar, Suarez dhe Iniesta ende nuk janë eleminuar. “Nuk dua të bëj parashikime apo të jap përqindje kualifikimi, – thotë Alegri, – as nuk dua që të ëndërroj. Thjesht mund të them se ky është Juventusi që duam”.

Sfidanti.al