Kanë mbetur më shumë se të habitur, madje me gisht në gojë, gjithë ata që kishin besuar se ndërhyrja e fortë e mbrojtësit Shameti të Kukësit ndaj Bakajt të Vllaznisë do të ndëshkohej nga arbitri. Por, arbitri me stemë, Andi Koçi, tamam sikur të kishte mbyllur sytë në atë moment, e ka shpërfillur episodin në një mënyrë flagrante. Përse nuk e nxorri kartonin nga xhepi kur kavilja e Elisit shpëtoi për qime? Sikur të kishte gabur vetëm arbitri do të ishte një ngushëllim, por gafa bëhet më spektakolare kur kalon nga fusha në maviolë. Ish-gjyqtari i FIFA-s, Bujar Pregja, me maviolën e tij, e cila edhe nuk shkrep mrekullisht në disa raste, ka bërë një gjykim për “rastin Shameti”, i cili nëse do të kopjohej nga të tjerët, rrezikon të bëhet një epidemi. E dinim se maviolistët urdhërohen për deformim te “sheqerosur” në disa raste, por nuk të shkonte mëndja se do të mbronim në ekran edhe lojën e fortë,tejet të rrezikshme. Interpretimi i Pregjës la për të dëshiruar: “ Shameti ka prekur topin në fillim, pastaj ka bërë ndërhyrjen e gabuar..”. Sipas tij, kartoni i munguar i Andit , nuk paska qënë një arratisje nga rregullorja..
Një njeri tjetër me stemë, arbitri Jemini është pyetur për rastin në fjalë: “ Nuk mund të shpëtonte pa karton Shameti në atë rast. Ajo ndërhyrje ishte diçka më shumë se kartoni i verdhë dhe diçka më pak se kartoni i kuq. Ne themi se ishte “kartoni rozë” midis të dyve. As Zoti nuk e shpëtonte dot Shametin pa kartonin e verdhë, të pakten, sidomos pas atij gjesti që për fat nuk pati pasoja më të mëdha”. Nuk e fal Zoti për Jeminin, por e fali Koçi në fushë dhe më pas edhe “bamirsja e njohur “ maviola e Pregjës, që shikon prekjen e lehtë të topit, dhe duket e verbër kur takat ngjeshen frikshëm , mu para syve tanë që ndihen të keqpërdorur…
Sfidanti.al