Lufta nuk njeh rang shoqëror, as moshë dhe nuk di arsye. Një bombë që shpërthen diku apo një plumb që fluturon me shpejtësi në ajër godasin kë t’i dalë përpara, ndaj edhe futbollistët e Dortmundit duhet të falenderojnë fatin që mbrëmja e një feste të Championsit nuk u kthye në një natë morti. Tri shpërthimet pranë autobusit të tyre nuk ishin aq pranë sa të rezultonin fatale. Në pjesën e prapme të autobusit Mark Bartra mbeti i plagosur nga copa xhami të thyer nga trysnia e ajrit pas eksplozionit, ndërsa bombat ishin të fshehura pranë një parkimi makinash.
Pranë Bartrës ishte edhe portieri rezervë, Mark Byrki, i cili tregoi se shpërthimi ishte i fuqishëm, me zhumrë të madhe dhe se futbollistët nxituan të gjenin strehë për të shpëtuar kokën, duke menduar se do të kishte shpërthime të tjera. Për fat, edhe policia ishte pranë dhe nuk do të lejonte asnjë të papritur tjetër të pakëndshme. Ndërsa Bartra u dërgua në spital dhe u operua për t’i hequr copat e xhamit, lojtarët e tjerë u shoqëruan nga policia në një vend të sigurt.
“Ne ishim të tronditur, – tha Byrki, – pas shpërthimit, asnjëri prej nesh nuk mendonte për ndeshje”. UEFA vendosi që takimi të luhet në orën 18:45. Gjermania nuk është e re në fatkeqësi të lidhura me sportin, pasi në Lojrat Olimpike në Mynih në 1972 u vranë shumë sportistë izraelitë, pas një atentati terrorist.
Sfidanti.al