Kapelo dhe Lipi kanë fituar nga 4 tituj të tillë, dhe trajneri i sotëm i “Zonjës” do të ishte i nderuar që t’i barazonte. Masimiliano Alegri do të jetë në stolin e Juventusit mbrëmjen e nesërme në “San Siro” për të fituar Superkupën e Italisë përballë Interit kampion dhe favorit. Luhet jashtë fushe, luhet me probleme. Bonuçi pritet të jetë, sipas Alegrit, por pas dëmtimit besohet se do të jetë në stol. Përveç Kiezës që ka mbyllur sezonin, nuk janë as Danilo, Aleks Sandro dhe Ramsej që është më Kovid. Të skualifikuar De Ligti dhe Kuadrado. Shezni nuk ka “pasaportën e gjelbër” sepse ka bërë vetëm 1 dozë vaksine, ndaj në portë do të jetë Perin. Dyshim më vete Dibala që luajti 86’ pak ditë më parë në Serinë A dhe mund të jetë i lodhur. Gjithsesi, ajo që ndodhi në Romë jep shpresë dhe u arrit një fitore me lojtarë të tjerë falë Moratës, Arturit, De Shilios e Lokatelit. Pra, Juvja i ka mundësitë.
Sfidanti.al