“Air” Ronaldo si Xhordani e Galisi, kështu i dha fitoren Juventusit!

Mund të mos vlerësohet si më i miri lojtar i epokës së tij, por padyshim do të luftojë me të drejtë deri në fund për ta merituar këtë çmim. Kristiano Ronaldo nuk ka ndërmend të largohet lehtë nga “Olimpi” i futbollit, siç e bëri të qartë në sfidën e Juventusit në fushën e Sampdorias. Dueli i Serisë A u vendos pikërisht nga një gol i tij, shënuar në fund të pjesës së parë, dhe që do të hyjë në antologjinë e bukurive që portugezi u ka dhuruar tifozëve.

Kërcim plot 2.56 metra mbi sipërfaqen e tokës, qendrim 1.5 sekonda në ajër, dhe goditje me kokë për të realizuar për 2-1. Diçka që në basketboll ishte mësuar ta bënte Majkëll Xhordani në NBA dhe Niko Galis në Europë. Përpara CR7-ës, Paulo Dibala i kishte dhënë epërsinë e parë Juves, dhe Xhanluka Kaprari kishte barazuar përkohësisht për dorianët. Pikërisht Kaprari u përjashtua në sekondat e fundit, dhe Juvja mori një fitore që e ngjiti në krye të Serisë A, në pritje të ndeshjes së Interit. Kampionët kanë 42 pikë, tri më shumë se milanezët.

“E pabesueshme ajo që bëri Ronaldo, – tha trajneri dorian, Ranieri, – ishte diçka prej NBA-je”. Sarri, tekniku bardhezi, ndërkaq, vazhdon të bëjë paralajmërimet e tij, si Kina për Tajvanin. “Treshja e sulmit ishte shumë mirë, por dikur dikush duhet të mbetet jashtë”, – tha ai. Edhe këtë herë, në fushë ishin Ronaldo, Dibala e Higuain.

Sfidanti.al