Reali i Madridit largohet si fitues pa fitore nga “Kamp Nou”!

Moralisht ishin më të mirët, por nuk mundën të mbledhin frytet e paraqitjes. Reali, papritur, dominoi Barcelonën në “Kamp Nou”, pikërisht në mbrëmjen e protestave e të rrezikut, veçse “El Klasiko” i parë i sezonit përfundoi pa gola. E para herë që ndodh kështu që nga viti 2002, kur një tifoz katalanas hodhi një kokë derri në fushë si anatemim ndaj Lusi Figos, ndërsa këtë herë u hodhën 50 topa si tullumbace, për t’i kujtuar gjithë botës se Katalonja dëshiron pavarësinë.

Në prani të 90 000 tifozëve, madrilenët ishin të të shpejtë e më të rrezikshëm, u dukën më mirë fizikisht dhe atletikisht, më shumë vertikalë me Bejlin, Valverden, Kasemiron, Benzemanë, Krosin e Iskon. Barça ishte ajo tipike e Valverdes, kur nuk është në formë. E ngadalshme, duke fituar kohë me qarkullim parazitar të topit pranë portës së vet, e duke shpresuar tek magjitë e Lionel Mesit. Kapiteni i realizoi magjitë e tij, por shokët e skuadrës nuk i shfrytëzuan.

Reali pati edhe gol të Bejlit, anuluar për pozicion jashtë loje të Mendisë, dhe VAR-i sanksionoi vendimin e drejtë të gjyqtarit anësor. Madrilenët pretenduan edhe një penallti, që mund ta kishin pasur pasi Varanit iu ndërhy në mënyrë të parregullt. Zinedin Zidan mbeti i pathyer në “Kamp Nou”, ku ka 1 fitore e 3 barazime, ndonëse përgjithësisht, Reali ka luajtur më mirë jashtë, dhe Barcelona ka pasur më shumë rezultat në “Bernabeu”. Pas 17 javësh, Barça e Reali kanë nga 36 pikë, 5 më shumë se Sevilja e vendit të tretë.

Sfidanti.al