Quhet Xhoshua, por nuk është i njohuri Kimih. Shënuesi i golit të fitores për bavarezët në javën e 16-të të Bundesligës e ka mbiemrin Zirkze dhe është nga Holanda. Ky 18-vjeçar shtatlartë (1.93 metra) luan si sulmues dhe bëri paraqitjen e tij të parë në skenën e madhe në stadiumin e Frajburgut. Bavarezët e trajnerit Flik po vuanin dhe ishin pranë një barazimi zhgënjyes 1-1, por këtë nuk e lejoi adoleshenti holandez, që realizoi në minutën e dytë shtesë.
Në korrik ai bëri debutimin për Bajernin, në ligën rajonale, në 11 dhjetor debutoi në Champions ndaj Totenhemit, ndërsa mbrëmë debutoi në Bundesligë dhe “dollia” ishte goli. Habia më e madhe ishte se Zirkze hyri në fushë në minutën e 90-të duke zëvendësuar Kutinjon, dhe gjithçka i shkoi shkëlqyeshëm. Flik zëvendësoi edhe Tomas Mylerin me Havi Martinezin, ndërsa i dha shansin Perishiçit në krah të Levandovskit. Polaku shënoi golin e parë për miqtë, pastaj Grifo barazoi në pjesën e dytë, ndërsa në 95’Gnabri shënoi golin e tretë bavarez.
Rivali për titull, Borusia Mynshengladbah e fitoi ndeshjen e vet, 2-0 ndaj Paderbornit, me gola të Pleas dhe Shtindlit. Lajpcigu dhe Mynshengladbahu kryesojnë Bundesligën me 34 pikë pas 16 ndeshjeve, ndërsa Bajerni e Dortmundi i ndjekin me nga 30.
Sfidanti.al