Nuk dihet nëse Raul Gonzales do të japë dorëheqjen nga drejtimi i ekipit të dytë të Madridit (Kastilja), apo që Visente Del Bokse do ta dënojë publikisht ashtu siç mund të bëjë Iker Kasijas. Apo ndoshta do të zgjedhin që ta injorojnë, të bëjnë sikur nuk ekziston, por gjithsesi përgjimet e bisedave të Florentino Perezit kanë bërë gjënë më të mirë, e kanë nxjerrë në dritë presidentin e Realit për atë që është. Si një punëdhënës që nuk ka minimumin e respektit për të punësuarit e tij, si njeriu që nuk mendon mirë për askënd, dhe që sillet fiks si një “grua e ligë”. Madje, për të mos qenë të padrejtë me gratë, duhet thënë si një “burrë i ligë”. Raul Gonzales dhe Iker Kasijas, dy legjenda të Realit, për Florentinon janë “dy mashtrime, dy djem shumë të këqinj, dy fëmijë”.
Zhoze Murinjo dhe Kristiano Ronaldo janë “të çmendur, të sëmurë, idiotë”, Koentrao është edhe ai diçka, ndërsa fisniku Visente Del Boske, që e ka pasur në zemër Realin kur Perezi nuk dinte se nga binte topi, është një “tapë topi”, një njeri që nuk është trajner, që nuk njeh taktikën, teknikën, që ka drejtuar në jetën e tij vetëm Realin. E vërteta është që Del Boske punoi 4 vjet tek Reali, 1999-2003, duke fituar 2 Champions dhe titullin kampion, ndërsa pas largimit të tij madrilenët ndryshuan 7 trajnerë, u eleminuan gjithnjë herët në Champions derisa Murinjo i kualifikoi në gjysmëfinale në 2011, ndërsa titullin ua dha Fabio Kapelo në 2007 që gjithashtu u shkarkua. Del Boske drejtoi Spanjën për 8 vjet duke fituar Kupën e Botës në 2010 dhe Europianin në 2012.
Sfidanti.al