Dikur ishte Milani që “vidhte” të tjerët, tani është në rolin që “vidhet”!

Xhanluixhi Donaruma la pas një letër sqaruese ndërsa mori aeroplanin në aeroportin ndërkombëtar “Malpensa” të Milanos. “Milanin nuk do ta harroj kurrë, – shkruajti ai, – por ishte koha për t’u larguar. Kjo është pjesë e rritjes”. Nga puthja e stemës së Milanit do të vijë puthja e stemës së Paris SG, e ndoshta më vonë e asaj të Realit apo Barcelonës, sipas normës së epokës ku ajo që dikur quhej tradhëti sot cilësohet liri, ndërsa do të ishte mirë që në fanelën e secilit lojtar, në vend të stemës që duhet puthur, të caktohet rroga vjetore për të cilën zgjodhi lirinë e radhës. Nga Milani nuk po largohet vetëm Donaruma, i shpallur lojtari më i mirë i Europianit, as vetëm Çalhanoglu, por mund të ikë edhe një tjetër “gur themeli” si Teo Hernandez. Paris SG është klubi që e kërkon, një gjigand miliarder dhe që kërkon t’i japë Milanit 40 milionë euro. Italianët kërkojnë më shumë, por ç’rëndësi ka kjo, me shumë gjasë edhe Teo do të shkojë aty ku mund të fitojë më shumë trofe dhe para. Dikur, në kohën e Berluskonit, kuqezinjtë merrnin kaq shumë yje saqë i linin në stol apo në tribunë, sot nuk mbajnë dot ata që kanë.

Sfidanti.al