A mundet që Dortmundi e Lajpcigu të sfidojnë Bajernin në Gjermani?!

Duket shumë e vështirë, pavarësisht verës aspak të mirë të kampionëve. Bundesliga gjermane nis sezonin dhe kampionët në fuqi janë sërish favoritë, ndonëse jo për të fituar me 13 pikë diferencë siç bënë vjet. Largimi i Hansi Flikut do të ndihet, ashtu si edhe ikjet e Alabës e Boatengut, dhe situatat e paqarta të Komanit e Goreckës. Disa lojtarë bëhen më të vjetër, siç janë Levandovski e Myler, ndërsa trajneri i ri Julian Nagelsman duket se ka nevojë për kohë.

Gjithsesi, Dortmundi nuk duket aq i fortë, edhe pse Halandi do të jetë më i pjekur dhe vjet shënoi 41 gola në 41 ndeshje. Humels dëmtohet shpesh, Sanço u largua, ndërsa të rinjtë si Belingham, Reina apo Jusufa Mukoko nuk duken ende me “kocka të forta”. Lajpcigu po ashtu ka humbur trajnerin dhe amerikani Xhesi Marsh pritet të provohet. Për më tepër, janë larguar dy mbrojtës të rëndësishëm si Upamekano dhe Konate, por ndoshta Andre Silva mund të kthejë sasinë e golave të Timo Vernerit.

Sfidanti.al