Atalanta nuk e ka për zakon që t’ia prishë qejfin “Zonjës së Vjetër”, sidomos në shtëpi. Fitorja e fundit e bergamaskëve në Torino ndaj Juventusit ka qenë në 1989-1990, dhe tradita nuk ndryshoi as në miqësoren e fundit. Skuadra e Masimiliano Alegrit fitoi 3-1 ndaj asaj të Gasperinit, e cila duhet thënë se është në një periudhë ndryshimi radikal. Ishte një ndeshje pa vlerë konkurrimi, por Alegri mund të jetë i lumtur në kthimin në stolin bardhezi, edhe pse Kristiano Ronaldo nuk shënoi.
E bënë Paulo Dibala, Bernardeski dhe Morata, lojtarë tek të cilët Alegri ka dëshirë të vendosë një bast për sezonin. Po ashtu edhe te Kieza, ndërsa mbrojtja duket më e sigurt edhe pa qenë Kielini në formacion. Në pritje të Lokatelit, mesfusha mbetet dyshimi më i madh i teknikut, edhe pse këtë herë funksionoi mirë. Për Atalantën pati disa ndryshime, ndërsa në portë ishte Muso e në mbrojtje Demiral në krah të Gjimshitit, si dhe Mehle. Duvan Zapata nuk pati vend dhe duket se do të kalojë tek Interi. Formacioni i Juventusit: Shezni, Aleks Sandro, Bonuçi, De Ligt, Kuadrado, Bernardeski, Ramsej, Betankur, Ronaldo, Dibala, Kieza.
Sfidanti.al