Një skuadër që mban titullin dhe që e nis sezonin me një katastrofë, tregon se ka kaluar një “sëmundje të rëndë”. Kampionia e Francës, Lila, duket se e ka dorëzuar që tani kurorën e fituar vjet, dhe ia ka vendosur në “pjatë” Paris SG të Mesit, siç e tregoi humbja 0-4 pësuar në fushën e vet nga Nisa. Dy herë Dolberg, dhe nga një gol i Budauit dhe Guirit me penallti ishin ndëshkimi që Lila mori në javën e dytë të Ligës së Parë të Francës. Në ekip janë disa nga lojtarët e dalluar të edicionit të kaluar si Burak Jilmaz, Jazixhi, Çelik apo Fonte, por duket se me largimin e trajnerit Kristof Galtie, është larguar edhe frymëzimi. Madje, Galtie ka kaluar pikërisht tek Nisa, ndërsa synon të fitojë trofe të tjerë pas titullit të vjetshëm dhe Kupës së Ligës në 2013 me Sent Etienin, ndërsa 3 herë është shpallur trajneri më i mirë i Francës, në 2013, 2019 e 2021. Duke u kthyer tek Lila, duket për të qeshur që portugezi Fonte i propozoi Kristiano Ronaldos që të bashkohej me të, për të rivalizuar Lionel Mesin dhe PSG-në.
Sfidanti.al