Plani është i përsosur, dhe llogaritë në letër dalin shumë mirë. Reali ka përgatitur një operacion të madh në verë për të transferuar në dalje 6 lojtarë, për të marrë dy superyjet e sulmit të momentit në futbollin botëror, Kilian Mbape dhe Erling Haland. Pra, jo një por dy blerje galaktike nga presidenti Florentino Perez. Vetëm vlera e kartonëve të dy lojtarëve arrin në 350 milionë euro minimalisht, ndërsa një barrë e madhe janë rrogat e tyre.
Perez ka llogaritur që Garet Bejl, Eden Hazar, Sergio Ramos, Isko, Rafael Varan dhe Marselo duhet të largohen dhe ata mund të krijojnë një sasi të madhe financiare. Gjithsesi, problemi është nëse këta lojtarë mund të transferohen me kërkesat që ka Reali. Hazar u mor për 150 milionë euro, Bejl ka pasur karton të lartë, ndërsa Ramosi thjesht do të ndihmonte uljen e shpenzimeve të rrogave me 15 milionë euro në sezon. Isko dhe Varan vazhdojnë të mbeten lojtarë shumë të mirë, por Marselo ka moshë të madhe. Të shohim nëse plani i Perezit mund të “REAL”-izohet.
Sfidanti.al