Vidal del në mbrojtje të Ronaldos

Largimi i Cristiano Ronaldos nga grumbullimi i Portugalisë vazhdon të shkaktojë reagime në botën e futbollit. Kësaj radhe, në mbrojtje të yllit portugez ka dalë ish-mesfushori kilian, Arturo Vidal, i cili ka kritikuar mënyrën se si trajneri Jorge Jesus e ka menaxhuar situatën.

Gjatë një prononcimi publik, Vidal ishte i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij për mënyrën se si u krijua përplasja mes kapitenit dhe stafit teknik.

“Është një turp. Një lojtar si Cristiano është mes katër më të mirëve në historinë e futbollit. Secili mund t’i rendisë si të dojë, por ai është pa dyshim një prej më të mëdhenjve të historisë. Që të largohet në këtë mënyrë nga kombëtarja është shumë e shëmtuar”, u shpreh Vidal.

Ai kritikoi veçanërisht komunikimin e trajnerit portugez, duke theksuar se Ronaldo kishte folur publikisht për situatën dhe më pas deklaratat e Jesus e përkeqësuan edhe më shumë konfliktin.

Sipas Vidal, Ronaldo duhet të trajtohet në përputhje me atë që ka dhënë për Portugalinë gjatë gjithë karrierës së tij.

“Cristianos duhet t’i qëndrosh pranë dhe ta mbrosh. Ai i ka dhënë gjithçka Portugalisë dhe e ka çuar kombëtaren në një tjetër nivel. Një lojtar i tillë nuk mund të largohet në këtë mënyrë nga kombëtarja. Cristiano është në të drejtën e tij të bëjë atë që dëshiron. Gjithë mbështetjen time për të. Është i jashtëzakonshëm në atë që bën”, deklaroi ish-mesfushori.